Për një paqe të mirë !
Fehmi Hajra
Një koleg nga Serbia, aktivist i të drejtave të njeriut, po tregonte se si kur ka ardh me disa gazetar serb në Prishtinë janë friguar shumë. Kur këta kanë vendosur me hy në një lokal të Prishtinës, kane folur vetëm anglisht që të mos hetohen që janë serbë nga Serbia. Dhe kanë porositur kafe në anglisht, ndërsa kamarieri shqiptar ju ka thënë “hoces veliki ili mali?”. Të gjithë kanë qeshur dhe përnjeherë te rinjët serb janë ndjerë më mirë. Në fakt ata janë befasuar me tolerancen që kanë treguar shqiptarët edhepse i kanë ‘zbuluar’.Toleranca është parakushti kryesor që një ditë të rinjët e të dy vendeve të komunikojnë pa frikë.
Si pjesëmarrës në disa evinimente rajonale, kam vrejtur se të rinjët nga Kosova, Serbia, Shqipëria dhe vendeve tjera ballkanike, deshirojnë të shohin një progres të theksuar jo vetëm në të ardhmen e tyre politike, por në përgjithësi në cilësinë e jetesës së tyre dhe krijimin e mundësive për një jetë të qetë. Por kjo është e mundër nëse vendoset një paqe e mirë në rajon. Studijuesit argumentojnë se paqja e mirë ka të bëjë me një paqe që i zhduk arsyet e fshehta të luftës, paqe që nuk është një armëpushim, por një ndryshim marrëdhëniesh. Serbia nuk mund t’i premtoj Kosovës paqe përderisa nuk e ndryshon shoqërinë. As Kosova nuk mund t’iu premtoj serbëve lokal paqe nëse nuk e ndryshon shoqërinë.
Ky është problemi. Serbia është jo-demokraci “deri në asht”, përvetëson pronat e Kosovës (psh, kursimet pensionale, dokumentet kadastrale etj), mban familjet nga Gjakova dhe pjesë të ndryshme të Kosoves në ankth duke mos i kthyer ata që konsiderohen të pagjetur, thjeshtë mban Kosoven dhe veten peng përshkak të kryeneçësisë ballkanase. Edhe Kosova është jo-demokraci. Kosova duhet të integrojë sa më shumë serbët lokal në shoqërinë e saj dhe të minimizojë dhunën ndaj tyre. Por, problemi më i madh i Kosoves nuk është jodemokracia, por varfëria.
Varfëria, mungesa e parasë, pasurisë ose më mirë me thanë pakësimi i tyre në shoqëri dërgon në konflikte. Pushteti, paraja, prestigji janë vlera të rrallueshme dhe kur ato mungojnë në një shoqëri si Kosova, shpërthimi i konfliktit është në prag. Në fakt disa studiues i përkufizojnë varfërinë, urinë dhe shtypjen si forma të dhunës. Këtë dhunë ata e quajnë “dhunë thelbësore”, që shkaktohet më shumë nga struktura e marrëdhnieve shoqërore se sa nga veprimet e drejtpërdrejta siç janë vrasjet e njerezve.
Në Kosovë ka dhunë thelbësore, që nuk vjen nga vrasja e njerezve si përpara por nga varfëria ekstreme. Definitivisht, në Kosovë ka paqe negative. Nuk ka vrasje të njerëzve por ka shumë varfëri dhe paksim të vlerave të rralla, që mund të shkaktojë një konflikt të ri, çfare e kemi parë në mars të vitit të kaluar, ku më shumë se 19 veta kanë pësuar vdekje të dhunshme. Jetësimi i idealeve demokratike të shumë të rinjëve nga Kosova e Serbia duket që edhe per një kohë do të mbetet vetëm një ideal. Serbia me nje kulturë militariste, ku ushtria ka një rol të fuqishëm në shtet, mund të paraqesë dhe paraqet kërcnim për vende të tjera siç është Kosova e sidomos për ata banorë të Kosovës që jetojnë fare pran kufinjëve me Serbinë. Kosova e gjendur para “bombes së kurdisur” sociale dhe paqartësitë me statusin e ardhshëm të saj e bën një të ri të Kosovës po aq pesimist sa atë të Serbisë për vendosjen e themeleve të një jete të qetë dhe pa konflikte.
Për të përditësuar një paqe të mirë duhet të ndrroj jo vetëm aparati i jashtëm i shoqërisë – sistemi politik – por edhe botëkuptimi subjektiv i shumë njerëzve. Paqja e mirë për Kosovën do të thotë ndryshim i shpejtë shoqëror. Pavarësia e saj nga Serbia dhe nga Shqipëria, vendosja e mekanizmave alternativ për ti trajtuar konfliktet, një presion publik më i madh mbi qeverinë përmes lëvizjeve të paqës, veprimtarive të ndryshme politike, forcim i normave kundër dhunës, një edukim paqësor inkluziv, shkëmbim kulturor që do të përforconte bindjen se dallueshmëria kombëtare nuk paraqet kërcinim për kombin tonë, vendosjen e një nacionalizmi qytetar në vend të atij etnik, një sistem që do ti përfshijë barazinë politike dhe të drejtat e njeriut, një përmirësim i shpjet i gjendjes ekonomike etj., janë disa nga indikatorët që do të dergonin Kosovën kah paqja e mirë.
Vendosja e paqes së mirë që normalisht është e lidhur me pavarësinë e Kosoves, - sepoqese nuk do të këtë pavarësi për Kosoven nuk do të ketë as paqe të mirë e as paqe të keqe – do të ndikonte në qetësimin e Serbisë dhe lëvizjen e saj drejt një demokratizmi më të shpejt. Shpresoi që kjo të mos kuptohet si një retorikë e zakonshme. Serbia ka nevojë që të “shlirohet” nga “barra e historisë” dhe të çmitizojë Kosovën. Nëse Kosova dhe Serbia prodhojnë asi politika për paqe të qendrueshme dhe e ndrrojnë diskursin e bisedimeve nga “humbje-fitim” në “fitim-fitim” ky do të ishte lajmi dhe mesazhi më i mirë për të rinjët e të dy vendeve.
Ndërtimi i demokracisë për këto vende ka rëndesi të shumëfisht. Me e rëndësishmja është se dy demokraci kurrë nuk luftojnë në mes veti. Ndodh që një jo-demokraci të luftoj me një demokraci ose dy jo-demokraci të luftojnë kundër njera tjetrës, por asnjeherë nuk ka ndodh që dy demokraci të luftojnë në mes veti. Kjo është paqja e mirë, kur dy shtete skanë arsye të luftojnë në mes veti sepse i kanë zhduk arsyet për luftë. E alternativa e paqes së mirë është dhuna, konflikti, vrasjet, jozhvillimi çfare e kemi parë që një kohë të gjatë në Ballkan. Nëse prap ndodhin gjerat e tilla atëherë studentët e politikës në vende të zhvilluara do të mësonin se si rajoni i Ballkanit është i papërmirësueshëm.
(Autori është i diplomuar në Shkenca Politike dhe Administratë Publike dhe është hulumtues në Qendren Kosovare për Studime Gjinore.)
0 comments:
Post a Comment