Thursday, February 02, 2006

Pse nuk vdiç KEK-u, po Rugova !?

Fehmi Hajra

Nëse për asgjë tjetër, Presidenti Rugova, do të mbahet në mend gjatë, për urtësinë, dashurinë dhe optimizmin e tij. Tri gjëra këto pa të cilat njeriu do të shëndrrohej në një qenie të merzitshme. E veqanta e Presidentit Rugova ishte se ai kishte një ndjeshmëri sociale dhe pushtet që këto vlera t’i transplatojë te populli që ai e udhëhiqëste. Fakti më ilustrues për ketë, ishte vërshimi i mijëra njerëzve për t’i bërë homazhe atijë dhe fjalët e mira që ata i thonin për të, duke e injoruar acarin e atyre ditëve. Nderimet e shumëta që ata i bënin Presidentit Rugova, tregonin se ai kishte pushtet më shumë se cdo lider tjetër në historinë e këtij vendi dhe ndoshta të rajonit. Urtësinë, dashurinë dhe optimizimin e Rugovës, qytetarët e Kosovës i kishin brendësuar si vlera në përsonalitetin e tyre, duke i shfaqur në këto ditë të zymta për vendin. Urtësia prej qytetarëve të kulturuar, dashuria për veprën dhe përsonalitetin e Rugovës dhe optimizmi se ky vend do të bëhej edhe pse lideri i tyre nuk do t’i udhëheqë më, flasin për një kulturë politike të masës së gjerë, që ka munguar deri më tani në shoqërinë kosovare.
Vet vepra dhe personaliteti i Presidentit Rugova, kishte efekte positive në kujtimin tonë për të. Por, një kompani publike esenciale për shoqërinë, KEK-u, na e nxiu jetën në këto ditë të ligështimit tonë kolektiv. “Presidenti Rugova ishte një njëri shumë i …” do t’ia ndërpriste fjalën KEK-u, Havier Solanës, Përfaquesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, në njërin nga TV-të tona. Shumë kosovarë që varrimin e Presidentit të tyre e përcillnin përmes TV-së, nuk arritën të kuptonin se cfarë ishte Presidenti Rugova për Solanën. Tek më vonë do ta kuptonim që ai kishte thënë “…i përkushtuar për të drejtat e popullit të tij”.
Jo vetëm fjalimin e Solanës, por edhe shumë deklarata të Presidentit Rugova, kur ai ishte gjallë dhe i shëndetshëm, KEK-u do të na linte në gjysmë. Derisa, Presidenti do të fliste me optimizëm për ‘Kosovën e prosperuar ekonomikisht’, ‘e integruar në Bashkimin Evropian’, ‘në miqësi të përherëshme me SHBA’, KEK-u, duke e ndërprerë rrymën, do të na kujtonte se ato për të cilat po flet Presidenti nuk do të bëhen, së paku jo aq shpejt sa mendonte ai. Kësisoji këtyre ditëve do të na sillnin në kokë, dy kujtime të përbledhura e krejtësisht të ndryshme.
Vepra e përbledhur e Presidentit do të na kujtonte humanizmin e tij, ndërsa kujtimi për ndërprerjet e shpeshta të rrymës në kohën kur Presidenti do të fliste me optimizëm për Kosovën, do të na kujtonin dehumanizmin e KEK-ut. Përderisa, humanizmi i Presidentit kishte efekte positive dhe optimiste te qytetarët, dehumanizmi i KEK-ut kishte efekte hiper-depresive dhe pesimiste te të njejtit. Në sytë e qytetarëve këto ditë, engjulli (e mira) në shoqërinë kosovare ishte Presidenti Rugova, ndërsa djalli (e keqja) ishte KEK-u, respektivisht njerëzit që e udhëheqin atë.Presidenti Rugova, ishte tejmase i admiruar edhe për faktin se ai nuk kishte qasje selektive ndaj qytetarëve. Kjo vrehet me faktin se ai gëzonte popullaritet në cdo komunë të Kosovës (përvec në dy komuna në Drenicë). Ndërsa njerëzit që udhëheqin KEK-un kanë qasje raciste gjatë furnizimit me energji elektrike. Përderisa, kryeqyteti ka furnizim gati 24 orë me rrymë, komuna të vogla si Vushtrria, prej që ka vdekur Presidenti Rugova, kanë më pak se 1 orë rrymë elektrike në ditë. “Nuk e di cka po pritni. Rrymë ka ama po shpërdahet me dallavere. Qohuni në protesta …” do të më thoshte një zyrtar i KEK-ut në Vushtrri derisa po e pyesja se cfarë është duke ndodhur.
Furnizimi i mjerueshëm me rrymë, depresioni për humbjen e liderit, ditët e stërgjatura të zisë, e kanë bërë jetën në Kosovë (sidomos në komuna të vogla si Vushtrria) të padurueshme dhe përiudha post-rugoviane të shikohet si ogurzezë dhe prelud për ditët që do të vinë pa Presidentin. Fajtori kryesor që jeta në Kosovë është shumë depresive dhe e mërzitshme është KEK-u. Kosovën atraktive, për të cilën Presidenti Rugova do të fliste ditë e natë, KEK-u është duke e kthyer në një vend të neveritshëm. Vdekjen nuk duhet deshiruar askujt, por KEK-ut, një djalë 18 vjeqar i irrituar i cili tek po tentonte të ndizte gjeneratorin, ia deshirojë duke thënë: “Pse nuk vdiç KEK-u, po Rugova !?”.
( I botuar ne gazeten "Express" 31.01.2006

0 comments: