A ekziston Shqipëria e Madhe?
Fehmi Hajra
HYRJA
Në qarqe të ndryshme akademike, politike, diplomatike dhe tjera është folur mjaft shumë për të ashtuquajtren “Shqipëri e Madhe”. Pas daljes publike të “Armatës Kombëtare Shqiptare” e cila u pat zotuar se do të bëjë bashkimin e tokave shqiptare në një shtet të vetëm, “Shqipëria e Madhe” është bërë një temë mjaft shumë e debatueshme. Për shqiptarët pavarësisht se ku jetojnë ata, termi “Shqipëri e Madhe” është term i huaj. Në vend të kësaj ata përdorin sinonime të ndryshme: bashkim kombëtar, Shqipëria Etnike apo Shqipëria e Bashkuar. Por shqiptarët, e sidomos elita intelektuale thonë që nuk është njejtë si bashkimi kombëtar, e si Shqipëria e Madhe. Ata shpjegojnë se bashkimi kombëtar është një bashkim i thjeshtë kombëtar i atyre trojeve të ndara gjatë historisë, si me thanë ri-rregullim i një gabimi historik në vitet 1912-1913. Këtë gjë e kanë bërë shumë kombe. Ndersa që Shqipëria e Madhe nënkupton një çasje territorialiste dmth fitimin e trojeve të reja dhe bashkagjitjes shtetit shqiptar. Për këtë gjë nuk kanë luftuar dhe as që do të luftojnë shqipëtarët.
Milloshoviqi është munduar ta bëjë të njejtën më planin “naçartania” për të realizuar “Serbinë e Madhe”. Është e njohur thënja e tij dhe sërbeve të tjerë se “ku ka një varrë serb është Serbi”. Poashtu edhe Tugjmani në Kroaci është munduar të bëjë të njejtën gjë.
Ndërkombëtarët kanë një këndvështrim tjetër prej shqiptarëve për bashkimin kombëtar. Ata thonë se bashkimi i shqiptarëve në një shtet dmth prishja e kufijëve aktual në Ballkan, është Shqipëria e Madhe. Nëse Kosova dhe Shqipëria, dhe pjesët tjera të banuara me shqiptar (Serbia Jugore apo Kosova Lindore, Çamëria në Greqi, pjesë të Maqedonisë, Malit të Zi) bashkëkohen atëherë kjo është një shtet pan-shqiptar i rrezikshëm në Ballkan. Një pjesë e intelektuale (sidomos disa intelektual në Shqipëri me prejardhje kosovare) e kundërshtojnë këtë gjë, duke thenë se kanë të drejt të bashkohen pjesët e ndara nga Shqipëria gjatë luftrave ballkanike.
Por në të vertetë a deshirojnë shqiptarët të bashkohen? Përgjigja më e mundër tëni për tani është jo. Shqiptarët pavarësisht se ku jetojnë kanë probleme të brendshme si varfëria, papunësia, probleme politike etj., të cilat në njëfarë mënyre i largojnë aspiratat për një angazhim panshqiptar. Thjesht shqiptarët e ndjejnë veten të pafuqishëm për të marrë një angazhim aq të madh siç është bashkimi kombëtar. Shqipëria ka probleme të brendshme shumë sfiduese siç është korrupcioni, krimi i organizuar, jo-zhvillimi ekonomik, reformat për integrim europian, etj etj. Ndersa Kosova është duke luftuar “me mish e me shpirt” për të fituar pavarësinë nga Bashkësia e Ndërkombëtare. Madje shumë pak kosovarë mund të jenë të disponueshëm për bashkim kombëtar. Shqiptarët e Kosovës janë duke e formuar shtetin dhe kombin e Kosovës, mund të dëgjohën duke thënë analistë dhe politikanë kosovarë. Profesori i shkencave politike Nexhmedin Spahiu në këtë vitë ka botuar një libër me titull “Drejt kombit kosovar”. A ka plan për bashkimin e shqiptarëve dhe formimin e Shqipërisë së Madhe? A e deshirojnë shqiptarët një shtet të vetëm shqiptar në Ballkan? A duhet të ballafaqohemi më Shqipërinë e Madhe? Këto do të jenë disa nga pyetjet kërkimore në këtë punim.
MITI MBI SHQIPËRINË E MADHE
Ç’është miti? Ekziston një debat gati i përherëshëm rreth asaj se çka nënkupton miti dhe si ndikon ai në ndërtimin e shtetit, ndërgjegjes kolektive, kombit dhe shoqërisë në përgjithësi. Por shumica pajtohen se miti ndihmon të shpjegohet ndërtimi i lidhjes shoqërore. Autori Malinowski ka një shpjegim domethënës për mitin. Ai thotë se miti është një “mjet gjegjës për të arsytuar veprimet kolektive dhe rendin shoqëror”[1].
Edhepse miti mbi Shqipërinë e Madhe ose si prefrojnë shqiptarët Shqipëria e Bashkuar nuk është i fuqishëm (siç është beteja e Kosovës te kombi serb), nga politikanët e huaj përmendet si rrezik që një ditë ky mit do të shëndrrohet në realitet. A ka vertet rrezik që një ditë shqiptarët të luftojnë për të shëndrruar këtë mit në realitet? Paskal Milo, historian i njohur dhe ish minister i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ka shkuar: “artikulimi kaq intensiv dhe i gjere i rrezikut qe perfaqeson idea e ‘Shqiperise se Madhe’ nga ambjente zyrtare politike rajonale e nderkombetare, nga analiste dhe nga media nuk perputhet me mbeshtetjen dhe influencen qe ka ajo ne realitet ne Shqiperi, Kosove, Maqedoni, etj…”[2]
Ekziston një bindje e përgjithëshme se ky rrezik është inekzistet për dy arsye: e para sepse shqiptarët janë të dobët dhe e dyta sepse Shqipërinë e Madhe nuk e deshirojnë vet shqiptarët. Se nuk ka rrezik nga pan-shqiptarizmi dhe se nuk ka një axhende as politike e as tjeter për realizmin e mitit, dëshmon edhe raporti i ICG (Grupi Ndërkombëtar i Krizave) i publikuar në shkurt të vitit të kaluar. Sipas këtij raporti Shqipëria e Madhe nuk gjendet në agjendat e qeverisë shqiptare (Kosovë, Shqipëri) dhe se ky nocion është më shumë mitik se sa praktik. Po sipas këtij raporti është interesant fakti se UCK-ja dhe AKSH-ja filluan të marrin mbështetje nga popullata në Kosovë, Maqedoni pikërisht dhe përkatësisht në kohën kur pjesëtarët e tyre lëvizën nga qëllimet nacionaliste pan-shqiptare dhe u koncentruan në të drejtat e popullit të tyre. AKSH që prej kur hapurazi plasoi agjenden lidhur me një Shqipëri të madhe kurrë nuk arriti të fitoj kredibilitetin e popullatës. [3] Ky fakt është interesant. Në Kosovë por edhe në Shqipëri në të gjitha zgjedhjet qofshin lokale apo nacionale partitë me më pak vota dalin partitë të cilat në programet e tyre kanë idenë ose punojnë për “Shqiperinë e Madhe”. Ndersa partitë të cilat kanë pushtetin në të dy vendet asnjëherë nuk kanë pasur një program ambicioz për Shqipërinë e Madhe. Presidenti i Kosovës, i cili njihet si politikan shumë i pavarur nga politikanët e Shqipërisë[4], ka një qëndrim të çuditshëm dhe shumë të pavarur ndaj Shqipërisë. Rugova pati deklaruar gjatë mandatit të kaluar se Kosova do të jetë e hapur si ndaj Serbisë ashtu edhe ndaj Shqipërisë.
Edhe shqiptarët në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës nuk kanë ndonjë ndjenjë të fuqishme ndaj bashkimit gjithkombëtar. Me perjashtim të disa partive, partitë në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës të cilat janë në pushtet më shumë merren më problemet dhe të drejtat e tyre në këto shtete që janë, se sa që merren me Shqipërinë e Madhe. Luftat që janë bërë në këto vende kanë dëshmuar se shqiptarët deshirojnë të fitojnë të drejtat e tyre dhe të marrin pjesë në mënyre të barabart në jeten politike, ekonomike dhe fusha tjera.
Mirëpo ka politikanë dhe akademikë në gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët që thonë se bashkimi kombëtar duhet të ndodh. Madje Akademia e Shkences së Shqipërisë në vitin 1998 doli më një document “Platforma për zgjidhjen e çështjes së pazgjidhur shqiptare”. Interpretimi i kësaj platforme ishte “lëvizja për çlirimin e tokave shqiptare nga okupatorët e huaj dhe bashkimi i tyre në një shtet të vetëm kombëtar”[5]. Mirëpo shumë politikanë dhe analistë kanë diskutuar për këtë gjë dhe kanë thënë se kjo platformë është shumë më mitike se sa praktike. Sipas Paskal Milos “kjo platformë ndonse me mjaft vlera pozitive, doli e kapercyer për kohen pershkak të zhvillimeve intensive dhe tendencave integruese europiane ne Ballkan”[6].
Edhe politikanët nga Kosova (duke përjashtuar ata të LPK-së dhe LKQK-së) mendojnë që plotforma që plason bashkimin kombetar (“Shqipërinë e Madhe”), është e parealizueshme sepse rrethanat e gjeoplitikës e kundërshtojnë këtë gjë. Por nuk është vetem gjeopolitika që e bënë të pamundër bashkmin e tillë. Ajo që u mungon shqiptarëve prej kohësh është fuqia. Shqiptarët janë popull i luftuar dhe i pafuqishëm. Këtë konstatim e mbshtet edhe intelektuali Fatos Lubojnja i cili thotë: “ëndrra e shqiptaërve që një ditë të bashkohen ka qenë pjesë e ndërgjegjëjes së tyre kolektive, pa kuluar kjo në programin politik sepse shqiptarët gjithmon kanë qenë të dobët”[7]
Ku e bazojnë shqiptarët mitin për bashkimin e tokave në një shtet të vetëm? Padyshim sa herë që flitet për zgjimin e ndjenjave nacionaliste te shqiptarët ata ju referohen jetës dhe veprës së Skenderbeut, heriot më të madh shqiptar. Skenderbeu, ishte i pari luftëtar dhe burrështetas i cili i bashkoj të gjithë shqiptarët e asaj kohe në luftë kundër Perandorisë Osmane. Ai e çliroj vendin duke arritur kështu një sukses të madh, për të cilën sukses sot ai gëzon epitetin e heroit më të madh shqiptar dhe jo vetëm kaq, ate e respketon e gjitha Europa. Lufta e Skenderbuet është një prej referencave më të mëdha të nacionalizmit shqiptar. Sipas hulumtimeve të ICG-së “apeli i një figure të tillë historike ishte i qartë për shqiptarët etnik. Akti i tij heroik dhe aftësia për të bërë bashkimin e shqiptarëve qëndron plotësisht në kontrast me historinë e zymtë përgjithësisht të shqiptarëve” [8]. Statuja e tij gjendet gjithandej nëpër vende shqiptare dhe në disa qytete të Europës.
Përveq Skenderbuet edhe një lëvizje që e fuqizon mitin për bashkim kombtar është Rilindja Kombëtare Shqiptare, lëvizje kjo e ndikuar nga e ashtuquajtra “Kriza e Lindjes” (1875- 1878). Arsyeja e këtij organizimi mbarëkombetar nga elita e atëhereshme shqiptare ishte gjendja shumë e rëndë kombëtare pas nënshkrimit të traktatit rus të Shën Stefanit. Ky traktat i bashkangjite shumë shteteve sllave, territore tradicionalisht të banuara me shqiptarë etnik. Ky traktat kishte detyruar (rilindasit) që ti mbledhin në Prizeren përfaqësuesit e të gjithë shqiptarëve në Ballkan, për të mbrojtur tokat, të cilat traktati ju shpërdante shteteve sllave. Nga Lidhja Shqiptare e Prizerenit dilte kërkesa që të gjitha territoret e banuara me shqiptarë të bashkohen në një shtet të vetëm. Mirëpo, siç dihet kërkesa kundërshtohet nga Kongresi i Berlinit në korrik të vitit 1878.
Siç dihet në vitet e mëvonshme shqiptarët do të ballafaqohen me situata të tensionuara. Perendoria Osmane do t’i acaron edhe më tej marrëdheniet me shqiptarë. Ajo tentonte të bënte asimilimin e shqiptarëve. Siç thotë historiani dhe diplomati italian Ferdinando Salleo “kultura islame e Perendorisë Osmane i kishte mëshuar identifikimit të besimit fetar me kombin, duke sheshuar dallimin midis shqiptarëve e muslimanve të tjerë nga njera anë dhe duke nxjerr më në pah, nga ana tjetër, atë midis islamikve dhe të krishterëve gjithëfarsojësh. Në një shoqëri shumëkombshe, siç ishte ajo e Perandorisë Osmane, jeta e nënshtetasve të saj, çështe e verteta, ishte organizuar rreth besimit, të cilët ata edhe i përkasnin: domethenë, vija ndarëse ndërmjet të qeverisuarve nga qeverisësit –ose thenë më shkoqur popullsisë hegjomene – ishte relegjioni dhe jo-kombësia, ku padyshim ashtu si në të gjithë perandorinë, myslimanët do të përfitonin një pozicion të priveligjuar, gjë që në rastin e Shqipërisë qe shëndrruar e kishte përberë një pengesë objective për të arritur bashkimin kombëtar të myslimanve me të krishterët, qofshin ata ortodoks apo katolikë”[9]. Pra shqiptarët ishin në një pozicion të pavolishtshëm sepse Porta e Lartë i konsideronte (me qëllim) myslimanët pavarsisht kombit, “turk”. Edhepse kjo ishte rezistuar nga shqiptarët etnik ku feja luante rolin e dytë pas kombit. Dihet qendrimi i shqiptaëve se “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Mirëpo hulumtimet e Salleos tregojnë që këto dallime ose më mirë me thënë veshja e shqiptarëve më kulturen islmane të Perandorisë Osmane ishte një pëngesë serioze për bashkim kombëtar. Porta Lartë ishte tolerante me nënshtetasit e saj jo-mysliman si psh me grekët, që ju kishte lejuar të arsimohen në gjuhën amëtare. Ndersa kjo gjë ishte e ndaluar rreptësisht për shqiptarë (edhepse ata i përkisnin më shumë fesë myslimane).
Në vitet e 1912 – 1913 kur Perandoria Osmane po kalopsonte në Ballkan, u mbajt Konferenca e Londres. Në këtë konferencë u vendos që Shqipëria të bëhej e pavarur por pa Kosovën e cila do ti takonte Serbisë e Malit të Zi. Viti 1913 është viti më fatkeq në gjithë historinë shqiptare. Shkrimtari shqiptar Ismal Kadare këtë vit e ka quajtër “viti i mbrapsht”. Që prej atëherë shqiptarët e Kosovës kanë ëndrruar dhe luftaur deri vonë për t’u bashkuar me Shqipërinë. Ndërkohë që numri 13 është konsideruar numër i pafat për shqiptar.
SHIKIMI I SHQIPËRISË NGA PRISHTINA
“Shqipëria e Madhe? No, thanks!” ky do të ishte një prej shpjegimeve se si shumë kosovarë e shohin bashkimin kombëtar apo Shqipërinë e Madhe. Kjo vlen më shumë për ata të rinjë të cilët edhe defitivisht janë larguar nga ideja se duhet të bashkohemi me Shqipërinë, qysh kur ajo po kolonte vitin e dytë të “mbrapsht” 1997. Në Kosovë flitet vetëm për pavarësi. Katër partitë më të mëdha shqiptare (LDK, PDK, AAK, ORA) e kundërshtojnë fuqimisht bashkimin me Shqipërinë. Bile dy partitë e mëdha shqiptare janë të daluara nga UCK-ja e cila në fillimet e saja u pat zotuar se do të bënte bashkimin e tokave shqiptare. Në korrik të vitit 1998 Jakup Krasniqi (tash deputet në Parlamentin e Kosovës) ish-zëdhënes i UCK-së, pati deklaruar se UCK-ja do të luftoj për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm.
Partitë të njohura si lëvizje të cilat kanë vendosur bazat e themelimit të UCK-së si LPK-ja dhe LKCK-ja, të cilat në opinion njihen si më ekstreme haptas e mbështesin idenë e bashkimit kombëtar. Në program kanë këtë gjë. LPK si parti aktive që prej vitit 1982, ka dhenë idenë e formimit të Unionit Kosovë-Shqipëri. Ata kanë mbledhur mëse 40 mijë nënshkrime në një peticion për këtë Union të cilën e kanë dorëzuar në Parlament. Ndërkohë që kjo iniciativë nuk ka pasur ndonjë jehonë të madhe në opinion qoftë në Kosovë apo Shqipëri. Liderët e LPK-së kanë bërë vizita në Shqipëri, ku idetë e tyre janë mbeshtur nga disa parti pa ndikim në jetën politike të Shqipërisë.
Politikanët kosovar ndoshta përshkak të prezencës së Bashkësisë Ndërkombëtare, i janë shmangur retorikës nacionaliste dhe janë më të matur në deklarimet e tyre. Ata janë shumë të preokupuar me shtet-ndërtimin e Kosovës dhe arritjen e pavarësisë me kufinjët aktual. Ndër politikanët më të zëshëm kundër bashkimit kombëtar është presidenti aktual Ibrahim Rugova. Presidenti gjatë mandatit të kaluar ka deklaruar që Kosova do të jetë e hapur si ndaj Shqipërisë si ndaj Serbisë. Profesori i shkencave politike nga Univeristeti i Tiranës Hysamedin Feraj me prejardhje kosovare, e ka kritikuar ashpër Presidentin për këto deklarime. Ai në artikullin e tij “Bashkimi Kombëtar dhe Pavarësia e Kosovës” në rëvisten “Rimëkëmbja” e kritikon ashpër Presidentin Rugova duke thenë se edhe nese Presidenti me këto deklarata vetëm ka “taktizuar”. Ai thotë “barazimi nga Rugova i Shqipërisë me Serbinë është i gabuar. Serbia ka kryer krime dhe i ka shfarosë shqiptarët e Kosovës për shekuj, vite me radhë. Pa shkuar shumë herët në shekuj, vetëm në fund të shekullit XIX Serbia ka dëbuar e ka shfarosë me thika e plumba në dimrin që ka ngrirë mijëra shqiptar nga rrethi i Nishit gati gjithë popullsinë shqiptare që edhe sot janë “muhaxhirë” në vendin e vet në Kosovë. Serbia u ka ndaluar gjuhën shqipe, simboliken shqiptare, i ka dhunuar e torturuar për të ndrruar besimin fetar, i ka përzenë në Turqi, i ka varrosë shqiptarët të gjallë në varre massive (…)” Më tej profesori në kritiken shton “shteti i quajtër Shqipëri mund të mos ketë ndihmuar sa duhet Kosovën në luftë kundër Serbisë, ndonjëherë mund ti këtë sjell edhe dëme me politikën e vet, por kurrë nuk barazohet me Serbinë në krimet që ka kryer Serbia ndaj Kosovës”.
Profesor Hysamedin Feraj dhe ish-diplomati i njohur Abdi Baleta përfaqësojnë atë pjesë të intelektualëve shqiptar të cilët me ngulmë deshirojnë bashkimin kombëtar. Ata kanë kritikuar ashpër politikanët shqiptar të Kosovës dhe Shqipërisë se nuk po ballafaqohen me “Shqipërinë e Madhe” dhe nuk po e mbrojnë këte ide. Faktet tregojnë që shqiptarët e Kosovës të cilët jetojnë në Shqipëri janë më pasionant ndaj një shteti pan-shqiptar.
Gjatë sundimit të hekurt komunist të Enver Hoxhes, shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë kanë qenë të pakomunikueshëm përshkak të marrëdhnieve të kqija në mes Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë. Ky mos komunikim i gjatë ka berë që shqiptarët jashtë Shqipërisë e sidomos këta të Kosovës ta idealizonin së tepermi Shqipërinë dhe vet Enver Hoxhen. Enver Hoxha, duke e eskivuar të verteten kishte përfituar simpatinë e kosovarëve. Simpatia e kosovarëve vinte si pasojë e një propaganda të sofistuakuar televizive duke fshehur të verteten e regjimit të eger të tij. Si të gjithë diktatorët edhe ai ishte mjaft popullor, e sidomos në Kosovë. Përkitazi me këtë një analist ka thënë, dallimi në mes shqiptarëve dhe kosovarëve është se shqiptarët e urrejnë Enverin ndërsa kosovarët e duan Enverin. Mund të tinglloj paradoksale por kjo është mjaftë e vertetë.
Pas rënies së regjimit të Enverit në Shqipëri, shqiptarët e rrënojnë “murin e Berlinit” dhe komunikimet bëhen më të shpeshta dhe të ndërsjellta. Kur kosovarët filluan të shkojnë në Shqipëri (Shqipëria për kosovar ishte vendi i zhvillimit, lirisë, barazisë etj) dhe kur zbuluan katastrofen që u kishte servuar regjimi i Enverit mbeten të tmerrizuar. Asgjë nuk gjeten në Shqipërinë që e kishin shikuar në TV ose që e kishin dëgjuar nga prindërit e tyre. Disa prej këtyre intelektualëve të rinjë me të kthyer në Kosovë, e treguan emocionin e tyre kur zbuluan Shqipërinë e vertet dhe u çmituzuan nga Shqipëria e ndërndijes së tyre. Ja çfar thotë në poezinë e tij Ali Podrimja:
“të kanë rrejtur se je më i miri,
më trimi nga trimat,
më i moçmi nga të moçmit” [10]
Por nuk ishte vetem poeti i mirënjohur kosovar, Ali Podrimja që ‘zbuloi’ Shqipërinë e vertetë. Shumë intelektual të tjerë të shokuar nga ajo që panë në “vendin e shqiponjave” reaguan. Artikuluesi më i zëshëm ishte Migjen Kelmendi një publicist kosovar dhe ish-roker i njohur në Kosovë. Në artikullin “Carrere Patria” ai ndër të tjera shkruan “rënja e murit të Berlinit (dështimi i utopisë së madhe negative, komunizmit) nuk e rrënoi murin tonë …mirëpo kjo përplasje autentike e utopive shkaktojë rënjen e mureve në kokat tona. Më në fund Kosova pati mundësinë të krahasojë utopinë e vet autentike që ishte Shqipëria, me vetveten. Çmitizimi, zgjimi nga anestezioni, shkaktojë një dëshprim monumental. Imazhet dhe idealet që Kosova i kishte ngjizur për këtë utopi që ajo e quante Shqipëri, porsa mundi t’i krahasojë me realitetin në Shqipëri u përplasën për tokë, në një apokalipsë tragjike … anijet e Durrësit, që bartnin njerëz, të shituar nga utopia e realizuar, e ngjajshme me tonën, por e radikalizueme dhe e ektremizuar, ikja kah utopia tjetër … Europa[11] Ai më tej shton se dallimi në mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës është dallimi i njerëzve “të veshur me atdhe” dhe “njerëzve të zhveshur nga atdheu”.
Migjeni dhe poeti Podrimja perfaqëojnë atë pjesë të intelektualeve që “zbuluan” të verteten e Shqipërisë dhe kuptuan dicka: Shqipëria nuk mund të jetë atdheu i tyre. Shqipëria për të cilën kosovarët kishin vuajtër edhe burg ishte vetem në ndergjegjen e tyre kolektive. Shqipëria e vertet ishte e mjerë. Siç shkruan edhe filozofi kosovar Dr. Muhamedin Kullashi “shemtia dhe mjerimi i realitetit të zbuluar do t’i shkatrrojë ëndrrat e tyre. Mos marrëveshjet midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptaërve të Kosovës qëndron në faktin se të parët nuk i kuptojnë shkaqet e idealizimit të Shqipërisë, nga vllezërit e tyre në anën tjetër të kufirit. Viktima dhe bashkëfajtor të një regjimi totalitar, ata nuk e kanë asfarë mirëkuptimi për iluzionet e kosovarëve ndaj Shqipërisë. Ndërkaq, kosovarët nuk e kuptojnë përbuzjen dhe cinizmin e tyre ndaj simboleve të identitetit shqiptar: flamurit shqiptar, figurave të historisë kombëtare (Skenderbeu) për të cilat disa prej tyre kishin vuajtër burg shumëvjeqar në burgjet e Serbisë”[12]
Ska dyshim se përceptimet e kosovarëve ndaj Shqipërisë kanë ndryshuar. Për shumë kosovar shqiptarët e Shqipërisë janë të ndryshëm. Dallimet kryesore vinë që nga gjuha, politika e deri te menyra se si sillen me simbolet kombëtare etj.
SHQIPËRIA DHE “SHQIPËRIA E MADHE”
Shqipëria gjithmonë ka qenë në fokus të shqiptarëve. Shqipëria është poseduesja më e madhe e kulturës, “barrës” historike, popullsisë dhe është në fund të fundit i vetmi shtet shqiptar sot për sot. Ajo mbtetet vend burimi i indentitetit shqiptar. Me një popullësi në rritje prej tre million e gjysmë shqiptar ajo mbetet edhe shteti më i kritikuar nga shqiptarët në Ballkan. Por siç e kishte thenë një profesor shqiptar, se nuk duhet të kritikohet Shqipëria por politikanët e saj. Politikanët e saj, nuk janë vet Shqipëria. Shteti i vetëm shqiptar duke pasur një rol prej “kujdestari” të interesave shqiptare në rajon është orvatur t’i ruaj lidhjet kulturore, ekonomike, politike me shqiptarët në rajonin e Ballkanit.
Shqipëria asnjëherë nuk ka treguar ndonjë interesim të veqantë për “Shqipërinë e Madhe”. Përkundrazi politika e saj zyrtare në vitet e fundit ka luajtur rolin e vendit që prodhon miqësi dhe një “cohabitacion” (bashkëjetesë paqësore) me vendet e saj fqinjë. Në studim e tij Paskal Milo thotë “Platforma e ‘Shqiperise se Madhe’ ne Shqiperi nuk ka popullaritet. Kjo nuk ka asnjë lidhje dhe nuk do të thotë se shqiptarët e Shqiperisë janë me pak nacionalistë se të tjeret, ose se nuk i pelqejnë marredheniet e ngushta me bashkekombasit e tyre ne vendet e tjera. Ky qendrim ndaj kesaj platforme sot është i shpjegueshem me disa arsye. Kultura politike dhe edukimi në Shqiperi janë në një nivel me të lartë ne masen e gjerë të njerezve se në Kosovë e në Maqedoni. Ata e kuptojnë më mirë thelbin dhe permbajtjen antishqiptare të kesaj parrulle. Duke jetuar në shtetin amë, ata e kanë konceptuar të ardhmen e tyre në zhvillimin e Shqiperise dhe orientimin e saj në strukturat euroatlantike. Kontaktet njerezore të këtyre dhjetë viteve të fundit midis shqiptarëve të ndarë në të dy anët e kufirit deshmuan diferenca jo vetëm nëe mentalitete, psikologji, formim kulturor por edhe në zhvillimin ekonomik. Ky boshllek nuk mund të mbushet për një kohë të shkurtër”[13]
Jo vetëm Paskal Milo, - i cili ka pasur deri vonë postin e Ministrit të Jashtëm ku atij ju është dashtë shumë herë të përballet pytjen se a ka “Shqipëri të Madhe” të fryrë nga politikan serb, maqedon e ndonjherë edhe grek - por edhe politikan të tjerë të Shqipërisë përjashtojnë çdo mundësi për një Shqipëri të tillë, me të gjitha territoret e ndara gjatë luftrave ballkanike. Kjo shihet edhe kur është në pyetje statusi i Kosovës, duke mos mbajtur një qendrim të hapur ndaj pavarësise e kerkuar nga shumica shqiptare. Qendrimet e Qeverisë dhe të Ministrisë së Jashtme nuk kanë ndonjë dallim esencial me ato qendrime të qeverive të ndryshme gjithandej botës. Ky lloj qendrimi “diplomatik” ndaj pavarësisë së Kosovës nuk ishte edhe në kohën kur në krye të qeverisë shqiptare ishte Pandeli Majko – një kryminster i zoti shqiptar i cili gëzon një popullaritet në rritje te kosovarët. Ai disa herë është shprehur pro pavarësisë së Kosovës. Qendrimi i tij proaktiv ndaj pavarësisë së Kosovës, e ka bërë atë politikanin më popullor në Kosovë. Mirëpo as Majko nuk e përkrahë idenë e bashkimit kombëtar. E asesesi siç pretendonte AKSH-ja. Ai në një televizon shqiptar pati deklaruar se AKSH-ja është “thikë mbas shpine” ndaj pavarësisë së Kosovës.
Dalja e AKSH-së në skenë, ka treguar se shqiptarët në Ballkan nuk kanë ndonjë qëllim për bashkim. Ajo, e sulmuar me njehërë nga të gjithë politikanët shqiptar dhe ata ndërkombëtar është një indikator se shqiptarët preferojnë lidhje ekonomike, politike e kulturore por pa ndrrim të kufijëve. AKSH është sulmuar ashpër edhe nga shumë politikan e analistë amerikan. Jonuz Bugajski – një prej njohësve më të mirë të Ballkanit – ka shkruar se “një dash i ri dhe i vlefshëm për kurban janë shqiptarët, si një kolektivitet, çdo kund në Ballkan. Dhe natyrisht disa militant leshatukë shqiptar, bien në kurthet e vendosura për ta nga palët e menqura. Kërcënimet e dhunshme nga ushtritë virtuale, në Washington thjesht do të konsiderohen si punë e terroristëve dhe kriminelëve dhe ata fatkeqsisht do të fusin bashkësinë shqiptare dhe liderët e saj në fokusin e dyshimeve ndërkombëtare”[14]
Si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri “Shqipëria e Madhe” është prezente në disa parti të vogla dhe me fare pak ndikim në politiken shqiptare. Të gjitha partitë e mëdha shqiptare, nuk kanë ndonjë axhendë politike se si të arrihet Shqipëria e Bashkuar ose e Madhe. Fatos Nano, kryeminister aktual dhe kryetari i Partise Socialiste në pushtet, disa herë ka mbajtur disa takime me politikanë nga Kosova e Maqedonia. Ata kryesisht janë fokusaur se si shqiptarët të zhvillohen dhe të emancipohen pa ndrruar kufijë në mënyrë që të behen pjesë e BE-së. Mirëpo si dokument që shton dyshimet e ndërkombëtarve përmendet ai i Akademisë së Shkancave. Në raportin e ICG-së mbi panshqiptarizmin thuhet: “perderisa politikanët e Shqipërisë i janë shmangur në mënyrë të përgjithshme përshtypjes së referimit dhe dhënies së përshtypjes zyrtare lidhur me advokimin për bashkim, lidhur me ketë temë ka pasur disa përjashtime. P.sh Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka argumentuar në platformen e vitit 1998 se “aspirata e drejtë e të gjithë shqiptarëve është bashkimi i të gjithë trojeve etnike dhe tokave shqiptare në një shtet të vetëm”.[15]. Siç e kemi thenë edhe më herët ky dokument i Akademisë nuk ka marrë asnjëherë një formë implemtimi. Përkundrazi është kundërshtuar.[16]. Te dy akademitë si ajo e Shqipërisë e si ajo e Kosovës në vitet e fundit janë zbehur dhe shpeshherë janë kritikuar. Akademitë e Shkencave në Ballkan nuk ka luajtër asnjeherë rolin që do të duhej të luanin. Akademitë duke mbledhur njerëz të “pastër” kombëtarisht shpesh kanë qenë në shërbim të politikanëve nacionalist. Siç ndodhi me Milloshoviqin i cili implementojë Memorandumin e Akademisë së Shkencave të Serbisë të vitit 1986.
Si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri ka disa parti të vogla të cilat fushatojnë për një shtet pan-shqiptar. Nga më e zëshmja në Shqipëri është “Rimëkëmbja Kombëtare” e cila parti nuk ka ndikim në popull. Kjo parti tubon intelektual si Abdi Baleta dhe Hysamedin Feraj, të cilët janë ballafaquesit kryesor të asaj që quhet “Shqipëri e Madhe”. Profesor Hysamedini është edhe profesor i njohur i shkencave politike cili shkruan nga një profil prej nacionalisti shqiptar. Por aty këtu ka pasur edhe deklarata edhe nga politikane të njohur shqiptar si Sali Berisha. Kur Berisha në 1992 u emrua President ka deklaruar se një prej qëllimeve të tija është bashkimi kombëtar. Por më vonë ka ndrruar mendje, duke propzuar një lloj “federate shqiptare”. Edhe Arben Imami, një politikan i njohur shqiptar ka deklaura se qellimi i partisë së tij – Aleanca e Moderuar Demokratike - është bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës. Por partia e tij shpejt ka dalë kundër kësaj deklarate.
Siç argumentuam deri më tani, as në Shqipëri nuk ka “Shqipëri të Madhe”. Shqipëria e Madhe nuk ekziston. Kështu është shprehur edhe Paulin Kola pas publikimit te një libri voliminoz kushtuar kërkimit të “Shqipërisë së Madhe”. Ai në librin e tij “Kërkimi mbi Shqipërinë e Madhe” ka thënë se “Shqipërinë e Madhe” nuk e kam gjetur askund as në histori e as tani.
IDENTITETI KOMBËTAR: SHQIPTAR vs. KOSOVAR
Nëse Kosova do të bëhet shtet, a do të bëhet edhe kombi kosovar? Kjo është një pyetje që i ka shtyrë shumë analistë, akademikë, gazetar e politikan nga Kosova e Shqipëria të shkruajnë dhe debatojnë. Pas luftës së Kosovës dhe shtimit të ndjenjavë të kosovarve për pavarësi qoftë nga Shqipëria e edhe nga Serbia, ka zëra në ngritje që thonë se shteti i Kosovës do të krijojë edhe kombin kosovar. Shteti dhe kombi nuk janë e njejta gjë, por janë shumë të lidhura në mes veti. Analistë politik si Nexhmedin Spahiu, politikan si Ibrahim Rugova, publicist si Migjen Kelmendi janë të bindur se shqiptarët do të “kosovarizohen” dhe do të krijohet identiteti kosovar.
Kosova, ka dy million banorë, ka një territor të përcaktuar me kufijë, ka institucionet e veta, ka muziken, kulturen, sportin, shkencen e vet, prodhimet e veta etj. Këto gjera në rritje e kanë entuziasmuar pa masë Presidentin e Kosoves Ibrahim Rugoven që të ndrrojë edhe himnin, flamurin dhe simbole tjera në mënyrë që të dallojmë nga shqiptarët e Shqipërisë. Modeli i kombit që synojnë Rugova dhe bashkëmendimëtarët e tij është modeli i komb-shtetit që dallon nga kombi në të cilën është formuar kombi shqiptar. Ka dy modele të kombit: komb-shteti dhe kombi kulturor ose kombi i kulturës. Komb-shteti ka lindur në Francë në kohën e Revulucionit Frances. Që prej atëherë ky lloj kombi është kuptuar si njësi politike qytetarësh të barabartë përpara ligjit, pavarësisht nga pozicioni shoqëror, prejardhja, gjuha apo feja. Në këtë sens kombi është një projekt politik. Ndërsa kombi kulturor ka të bëjë me ndjenjat e përkatësisë së përbashkët të mbështetura mbi gjuhen dhe kulturen, për shkak të mungesës së shtetit.
Për studijusin Majkëll Ingnatieff është me rendësi se a është komuniteti kombëtar ai që përckaton individin apo individi ai që përcakton komunitetin kombëtar?[17] Kombi shqiptarë është komb i kulturës. I gjithë identiteti shqiptarë është i bazuar në gjuhë. Kjo për nacionalistët shqiptarë ka qenë një përparësi sepse vetëm gjuha gjithmon ka qenë një faktor përbashkues. Këtë fakt e përmend edhe Erik Hobsbaun i cili thotë: “ishte e natyrshme që themeluesit e nacionalizmit shqiptar të kërkonin identitetin kulturor shqiptar tek gjuha, përderisa feja dhe përnjëmend pothuajse gjithcka tjetër në Shqipëri, ishte faktor ndarës më shumë se unifikues”.[18] Që prej kohësh tek shqiptarët ka funksionu parulla nacionaliste: “një gjuhë, një komb”.
Në intervistë me një student, akademiku kosovar Nexhmendin Spahiu tregon se indentiteti kosovar ka fillu të krijohet që nga vitetet e ’90, “mendoj se identiteti kosovar është krijuar nga ata të cilët kanë vendosur që në vitet e 90-ta, pra në kohën e shkatërrimit të Jugosllavisë, që forcat politike në Kosovë të quhen: Lidhja Demokratike e Kosovës, e jo Lidhja Demokratike e Shqiptarëve dhe s’i kanë krijuar degët e partive prej Strugës e deri në Ulqin e Sarandë … Ata që i kanë dhënë vulë identitetit kosovar mandej kanë qenë edhe bartësit e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj mund të thonë që nuk jemi për identitetin kosovar, por me vet faktin që ata e kanë krijuar ushtrinë të quajtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe jo Ushtria Çlirimtare e Shqiptarëve…ata i kanë dhënë vulë identitetit politik kosovar.”[19]. Studiusi kosovar këtë vitë ka botuar një liber me titull “Drejt Kombit Kosovar” duke thenë se projekti i Rilindasëve ka dështuar, dhe se me pavarësinë e Kosovë do të krijohet një kombi i ri që dallon nga ai shqiptar ndonse etnia nuk do të ndryshoj.
A po shkon Kosova vërtetë kah krijimi i identitetit kosovar? Nëse Kosova bëhet një komb-shtet atëherë ky do të jetë një projekt politik sipas idesë së kombit frances. Kombi-shtet asnjeherë nuk ka funksionuar në territoret e trazuara të Ballkanit. Ballkani nuk është një vend i sigurtë për projekte të tilla kombëtare. Shumica e ballkanësve lidhjet shoqërore i kanë të përcaktuara nga komuniteti kombëtar e jo nga një bashkëjetesë politike.
Pavarësisht rrezikut identiteti kosovar është duke u rritur. I prirë nga Ibrahim Rugova, Migjen Kelmendi e Nexhmendin Spahiu, ai është duke u formësuar edhe nga të rinjët kosovarë. Shumë prej të rinjëve kosovarë në vitin e fundit të shkollës së mesme shkojnë për vizitë në Shqipëri. Atje ata ndjehen të deshpruar dhe të inferiorizuar me gjuhën që flasin. Disa të rinjë tanimë e kanë përqafuar edhe njëfarë mënyre “kosovarqe” të të folurit, e përzier me gegnisht dhe gjuhë letrare. Sido që të jetë identiteti kosovar do të mund të ishte i ngjajshëm si ai austriak me gjerman apo moldov me romun. Formësimi i identitetit kosovar dhe ndjenja e rritur e kosovarëve për pavarësi e largon rrezikun në masë të madhe të “Shqipërisë së Madhe”. Siç e ka thënë edhe Nexhmedin Spahiu: “sa më larg shtetit të Kosovës aq më e madhe dëshira për bashkim me Shqipërinë. Sa më afër shtetit të Kosovës aq më shumë e ndijmë peshën e rëndë të ndërtimit të një shteti sepse shteti nuk ndërtohet lehtë, por shteti ndërtohet me djersë, gjak, dhe lotë dhe kur po e paguan koston e ndërtimit të këtij shteti atëherë qytetari i Kosovës do thotë: tash që e krijova shtetin me gjak, djersë e lotë, pse t’ia fal atë Fatos Nanos? Ndërsa qytetari i Shqipërisë thotë se ne kemi gati një shekull shtetin e krijuar me gjak, djersë e lotë dhe tani nuk duam që kosovarët të na i prishin ekuilibrat e krijuar”[20]. Dhe kjo tingllon saktësisht e vertetë.
PËRFUNDIM
Siç vumë re pan-shqiptarizmi nga shumica shqiptare në Ballkan mbetet i injoruar. Shumë pak parti në vendet ku jetojnë shqiptarët janë të preokupuar se si të arrijnë deri te “Shqipëria e Madhe”. Shqipëria e dalë nga komunizmi me problemet të shumta ekonomike e politike është fokusuar në zhvillimin të brendshëm ekonomik, duke injoruar kështu çështjet e “mëdha” shqiptare. Kosova, një vend me dy milion shqiptar etnik e ndarë nga Shqipëria që nga 1912 është duke kërkuar me ngulm pavarësi. E gjendur në një administrim ndërkombëtar nga OKB-ja, Kosova ka shumë probleme të brendshme si dhuna etnike, dhuna politike, varfëria, ekonomia në regres etj. E përballur me probleme të tilla Kosova është duke bërë të njejtën gjë si Shqipëria: injorimin e çështjeve të “mëdha” shqiptare. Edhepse aspiratat e shqiptarëve të Kosovës për bashkim me Shqipëri kanë qenë shumë më të mëdha se sa ato të shqiptarëve të Shqipërise për bashkim me Kosovën, kohëve të fundit ky fakt është zbehur. Sidomos viti 1997 ka qenë viti kur shqiptarët e Kosovës edhe definitivisht janë largu nga ideja për bashkim me Shqipëri.
Shqiptarët janë mësuar që të mos i humbin lidhjet e tyre në Ballkan por asnjëherë nuk kemi parë ndonjë lëvizje qoftë politike qoftë ushtarake. AKSH-ja si një “ushtri në internet” ose “e-army”nuk ka gjetur kurrëfar përkrahje te kombi shqiptar dhe si e tillë kjo iniciative ushtarake ka dështuar. LPK-ja si një lëvizje politike ka dështuar me projektin e saj për Unionin Shqipëri-Kosovë. Ky projekt ka kaluar pa shkaktuar ndonjë jehonë të madhe te shqiptarët. Ndonse ka mbledhuar 40 mijë nënshkrime në Kosova dhe ka bërë disa vizita në Shqipëri LPK-ja ka vetem një deputet në Parlamentin e Kosoves.
Shqiptarët në të dy anët e kufirit janë të vetdijëshëm se bashkimi nuk funksionon sepse politikanët do të duhej të ushtronin ndikimin e tyre përtej kufinjëve aktual. Fatos Nano do të humbaste në zgjedhjet e 4 korrikut sepse për te do të duhej të votonin edhe qytetarët nga Kosova, ku ai ka një përkrahje të vogël. Në kohën e luftës së Kosovës Nano ka pasur një takim me Milloshoviqin, dhe prej atehërë ai është i urryer në Kosovë. Poashtu Rugova do të humbaste zgjedhjet sepse toskët janë dominant në politikën shqiptare. Rugova nuk pelqehet në Shqipëri, ashtu si Nano në Kosovë.
Shqiptarët e Maqedonisë janë të vendosur që të implementojnë “Marrëveshjen e Ohrit” që këtyre të fundit ju jep shumë më shumë të drejta se sa që kishin më herët. Tani shqiptarët kanë përmirësuar dukshëm poziten e tyre në Maqedoni. Partia shqiptare në BDI është një parti moderne, dhe nga shqiptarët shihet si një forcë më intelektuale të sofistikuar që do t’i bëjë ata të jëtojnë më mirë. Poashtu shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të kujdesshëm që të implementohet “Plani Qoviq” i cili plan ju jep më shumë të drejta atyre brenda territorit të Serbisë.
Shqiptarët janë një popull dinamik, që kanë qenë, të luftuar dhe të mbetur prapa. Ata janë të vendosur që të zhvillohen duke mos shkaktuar lufta të reja. Në këta kufijë që janë duke u përafruar kulturalisht e zhvilluar ekonomikisht, shqiptarët janë duke u përpjekur për të arritur në Europen e Madhe.
BIBLIOGRAFIA:
Kullashi, Muhamedin. “Përplasja e Identiteteve” Dukagjini: Pejë.2003
Milo, Paskal.” Shqipëria e Mdhe” midis trillimit dhe realitetit”, Tiranë, 2001
Raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG): “Pan-shqiptarizmi: sa është i madh kërcënimi për stabilitetin e Ballkanit”. 25 shkurt, 2004.
Thiesse, Anne Marie. “Krijimi i identiteteve kombëtare: Europa e shekujve XVIII – XX”. Përkth: Etleva Shiroka. Pejë: Dukagjini. 2004
Hobsbaun, Erik. Kombet dhe nacionalizmi që nga 1870. Përkth. Bashkim Shehu. Toena: Tiranë
Ignatieff, Micheal. Gjaku dhe Përkatësia. Përkth. Ani Ruci.Tiranë:Dituria. 2002
Migjen Kelmendi, “Carrere Patria”, “MM”, 1997
Hysamedin Feraj. “Ballafaqimi me Shqipërinë e Madhe”, “Rimëkëmbja” Tiranë http://www.pasqyra.com/arkivi/2003/12092003/faqe/ballafaqimimeshqiperineemadhe.htm
Hysamedin Feraj “Pavarësia e Kosovës dhe Bashkimi Kombëtar”, “Rimëkëmbja” Tiranë.
http://www.forumishqiptar.com/showthread.php?t=15508
Greater Albania : a Place, or Just a State of Mind? Mars 2004: http://www.antiwar.com/orig/deliso59.html
Fejtoni mbi identitetin kosovar: http://www.gazetajava.com/imocmi/fejtoni.htm
Gazeta javore “JAVA” Prishtinë.
[1] Cituar nga Muhamedin Kullashi “Përplasja e Identiteteve” Dukagjini: Pejë.2003. fq. 110
[2] Paskal Milo.” Shqipëria e Mdhe” midis trillimit dhe realitetit”, Tiranë, 2001
[3] Raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG): “Pan-shqiptarizmi: sa është i madh kërcënimi për stabilitetin e Ballkanit”. 25 shkurt, 2004.
4.Rugova, asnjehere nuk ka pasur një marrëdhnie normale me partinë Socialixte në pushtet në Shqipëri. Mirepo, kohëve të fundit kjo marrëdhnie është përmirësuar
[5] Cituar sipas raportit të ICG-së
[6] Paskal Milo, “Shqipëria e Madhe…”
[7] Cituar nga ICG
[8] Raporti I ICG
[9] Ferdinando Salleo “Shqipëria: gjashtë muaj mbretëri”Përkth. Virgjil Muci. Tiranë: SHLK & Istituto Italiano di Cultura, 2000. fq 22.
[10] Cituar nga Muhamedin Kullashi. “Përplasja e Identiteteve” Dukagjini: Pejë. fq.130-131.
[11] Migjen Kelmendi, “Carrere Patria”, “MM”, 1997.
[12] Muhamedin Kullashi, “Perplasja e Identiteteve”, Dukagjini, Pejë. fq. 132
[13] Paskal Milo “Shqiperia e Madhe midis trillimit dhe realitetit”. Tiranë 2001.
[14] Jonuz Bugajski, Java, 29 kallnor, 2004
[15] Raporti i ICG
[16] Shiko te Paskal Milo “Shqipëria e Madhe ….”
[17] Ignatieff, Micheal. Gjaku dhe Përkatësia. Përkth. Ani Ruci.Tiranë:Dituria. 2002. fq. 7-8
[18] Hobsbaun, Erik. Kombet dhe nacionalizmi që nga 1870. Përkth. Bashkim Shehu. Toena: Tiranë. 1996. fq. 53
[19] Marrë nga intervista e Nexhmendin Spahiu me Shkelzen Gashin.
[20] Ibid.

2005, Prishtinë
0 comments:
Post a Comment