Wednesday, March 29, 2006

Shkrimi i mëposhtëm mbi Karl Marksin është botuar në revistën Britanike New Statesman dhe ribotuar në revistën Yale Global të universitetit Yale në ShBA.

Eksperti i ri i globalizimit
13 Mars 2006
Eric Hobsbawm and Jacques Attali

Diskutim midis Erik Hobsbaum (Eric Hobsbawm), historian i njohur me bindje komuniste me Zhak Attali (Jacques Attali), ish-bankier ndërkombtar mbi rolin e Karl Marksit në shekullin e 21-të më datë 2 Mars. Diskutimi u mbajt si pjesë e Javës së Librit Çifut dhe u drejtua nga redaktori John Kampfner i Neë Statesman.

Hobsbaum: Ja ku jemi pra duke diskutuar mbi Karl Marksin. Biografia e tij nga Zhak Attali po shitet si byreçka të nxehta në Francë e ndërkohë po përkthehet edhe në Britani. Unë vetë kam bërë një biografi më të votël të Marksit në Fjalorin e Biografisë Kombëtare. Nuk mund të thuash që kur vdiq Marksi ai ishtë dështak; shkrimet e tij kishin pasur tashmë njëfarë ndikimi në Rusi dhe në Gjermani kishte lindur ndërkohë një lëvizje politike nën drejtimin e pasuesve të tij. E megjithatë si mund të ishte i kënaqur me punën e jetës së tij? Kish shkruar disa vepra të shkurtëra të shkëlqyera dhe pjesën kryesore të një vepre të pambaruar, Kapitali (Das Kapital). Përpjekja e tij kryesore politike që nga dështimi i revolucionit të 1848-tës, e ashtuquajtura Internacionalja e Parë e 1864-73 kish dështuar. Ai vetë s’kish arritur të zinte një vend me peshë në politikat e jetës intelektuale të Britanisë ku kish jetuar për më shumë se gjysmën e jetës së tij. Megjithkëtë Marksi arriti një sukses të jashtzakonshëm politik pas vdekjes.
Asnjë mendimtar nuk ka lënë një gjurmë kaq të thellë mbi shekullin e 20-të sa Marksi. E megjithatë për më shumë se 15 vjet pas rrëzimit të Bashkimit Sovietik Marksi e ka parë veten as në qiell e as në tokë. Biles ndonjë gazetar ka hedhur mendimin se ne po përpiqemi sonte ta shpëtojmë nga koshi i historisë. Por Marksi është sot shumë i rëndësishëm e për mendimin tim shumë pak vëmendje i është kushtuar studimit të publikut nga BBC që e cilëson Marksin filozofin më të famshëm. Nqs shkruani Marx në Google do t’ju dalin miliona faqe, 39 milionë syresh herën e fundit kur e kontrollova unë. Vetëm Darvini (Charles Darwin) dhe Adam Smith kanë një famë më të madhe ndërkombtare.
Si mund ta shpjegojmë këtë ridalje të papritur? Së pari unë mendoj që fundi i Marksizmit zyrtar në BS e ka liruar Marksin nga njëjësimi publik me Leninin në teori dhe me regjimet Leniniste në praktikë. Njerzia ka filluar të vërë re përsëri që ka mjaft gjëra interesante në shkrimet e Marksit. Dhe së dyti; bota kapitaliste e globalizuar që lindi në vitet ’90-të është shumë e ngjashme me atë botë që Marksi parashikoi në 1948-tën në Manifestin Komunist. Kjo u pa qartë në reagimin publik mbi 150 vjetorin e Manifestit, i cili përkoi me një vit trazirash ekonomike në shumë pjesë të botës. Çuditërisht ishin kapitalistët ata që e rizbuluan Marksin, socialistët e kishin humbur kurajon dhe nuk synonin të festonin përvjetorin me shumë bujë.
Më kujtohet habia ime atë vit kur redaktori i revistës së United Airlines (një nga kompanitë më të mëdha të transportit ajror në ShBA) më tha se lexuesit, ma merr mendja se shumica e tyre janë tregtarë, do të ishin të interesuar në një diskutim mbi Marksin sepse tema dukej e rëndësishme për situatën e atëhershme. Një vit e ca më vonë kur po haja drekë me Xhorxh Soros (George Soros) u habita po aq shumë kur më pyeti se ç’mendoja për Marksin. Duke e ditur që mendimet tona nuk përputhen për shumë çështje i dhashë një përgjigje të vakët duke i thënë që “ca njerëz mendojnë që është i mirë, ca njerëz mendojnë që është i keq”. Përgjigja e Soros ishte “kam lexuar shkrimet e tij kohët e fundit dhe ka diçka në to”. E pra ja ku jemi sonte duke diskutuar mbi Marksin; ka pak nevojë t’ju kujtoj që Zhak Attali ka marrë pjesë si në financën, ashtu edhe në politikën ndërkombtare. Ai s’është e s’ka qënë ndonjëherë Marksist por edhe ai mendon që tani është koha kur Marksi mund të na thotë diçka.
Attali: Ajo që Marksi u përpoq të bënte me lëvizjen ndërkombtare socialiste ishte një përpjekje mahnitëse për të menduar mbi botën nga këndvështrimi global. Marksi është një mendimtar mahnitshmërisht modern pasi shkrimet e tij nuk merren me organizmin e një shteti socialist por me ndërtimin e kapitalizmit në të ardhmen. Ndryshe nga karikaturat e paraqitura shpesh, Marksi është një admirues i kapitalizmit. Për të ai është një sistem shumë më i mirë se të tjerët para tij pasi për të sistemet parardhëse janë të mykur. Një apo dy herë Marksi mendoi se kapitalizmit i kish ardhur fundi por shumë shpejt e shikojmë të ndajë mendjen që kjo s’ishte e vërtetë dhe të pranonte që kapitalizmi kishte para tij një të ardhme të madhe.
Një tjetër pjesë shumë moderne e teorisë së tij është fakti që ai e shikon fundin e kapitalizmit atëherë kur të bëhej një forcë botërore, kur e gjithë klasa punëtore ishte pjesë e tij, kur kombet të zhdukeshin, kur teknologjia të kishte fuqinë të ndryshonte jetën e një vendi. Ai përmend Kinën dhe Indinë si bashkpuntorë të mundshëm të kapitalizmit dhe thotë për shëmbull që mbrojtja e kufijve ekonomikë është gabim, tregtia e lirë është një nga kushtet për përparim.
Për Marksin, kapitalizmi duhet të jetë botëror përpara se të mendojmë për socializmin. Socializmi për të është pasardhësi i kapitalizmit dhe jo një sistem në vend të tij. Në shkrimet e tij gjenden shumë ide mbi globalizimin, lëvizjen e kompanive, shkëputjen nga vendlindja dhe gjithshka që lidhet me botën që jetojmë sot. Deri diku Bashkimi Sovietik po shkatërronte, apo ndërpriste rrjedhën e mendimeve të Marksit dhe rënia e Murit të Bërlinit po i jep një mundësi mbijetese veprës së tij pasi Marksi po mendonte për botën nga këndvështrimi global dhe sistemi Sovietik ishte një ëndërr e keqe që ai s’e parashikoi.

Hobsbaum: Sot po jetojmë atë që Marksi parashikoi dikur; një ekonomi globale. Kjo ka sjellë një numër pasojash të cilat ai s’do ti kishte menduar. Pësh shëmbull, Marksi parashikoi që klasë puntore në rritje në vendet e industrializuara do të përmbyste kapitalizmin por kjo s’ndodhi sepse përparimi i kapitalizmit vjen një çast që ecën edhe pa klasën puntore, njësoj siç ecën pa fshatarsinë. Deri më 1914 parashikimi i Marksit ishte goxha i arsyeshëm e biles krijoi parti të masave të cilat ekzistojnë edhe sot. Shkurt, kushtet bazë në të cilat Marksizmi vepron në shekullin e 21 do të jenë krejt të ndryshme nga ato të shekullit të 20-të. Por megjithatë një gjë ngelet e vërtetë; nevoja që jo vetëm ta kritikojmë kapitalizmin por edhe të tregojmë që përparimi i globalizimit në mënyrë kapitaliste krijon jo vetëm rritje por edhe kriza e probleme të cilat kapitalizmi nuk i zgjidh dot.

Attali: Marksi parashikoi që kapitalizmi do të rritej, që pabarazitë do të rriten me të, që klasa puntore do të shkatërrohej e që punonjësit do të varfërohen. Kjo s’ka ndodhur në botën e zhvilluar por nqs i shikon gjërat në mënyrë globale atëherë parashikimi i tij është i vërtetë. Në të gjithë botën po theksohet përqëndrimi i pronës. Sot ka 3 miliardë njerëz që jetojnë me më pak se 2 Dollarë Amerikanë në ditë. 40 vjet që sot parashikohet që nga 9 miliardë banorët e planetit gjysma të jetojnë nën nivelin e varfërisë. Kjo është ëndërra e keqe e Marksit. E s’mund të thuash që s’janë puntorë, edhe nëse s’kanë punë. Sepse edhe ata që s’punojnë në fabrika janë puntorë. Kundërshtirat në zemrën e ekonomisë së tregut janë më të forta se ç’ishin në kapitalizmin e shekullit të 19-të.
Nëse shikon historinë e njerzimit në dy shekujt e kaluar vihet re që kjo është përpjekja e katërt për të krijuar një rend global. Përpjekja e parë erdhi në fund të shekullit të 18-të e u përmbys me luftërat Napoleonike. E dyta erdhi në fund të shekullit të 19-të dhe u përmbys me Luftën e Parë Botërore. Globalizimi i viteve 1920 u përmbys me Luftën e Dytë Botërore. Po jetojmë përpjekjen e katërt të globalizimit e mundësia më e madhe është që edhe kjo të përfundojë si parardhëset duke shkaktuar mbyllje në vetvete dhe politika mbrojtjeje ekonomike.
Në 1849-tën Marksi shkroi mbi mbrojtjet ekonomike dhe barbari të tjera. Në fillimin e shekullit të 20-të ato s’përfytyroheshin dot e po ashtu edhe sot. Ne s’mund ti parashikojmë barbaritë e ardhshme por është e qartë që do të ndodhin. E vetmja zgjidhje është të organizohet në nivel botëror një mirkuptim, një marrveshje midis tregut dhe demokracisë.
Përshtati: Llukan Tako

0 comments: