Monday, August 21, 2006

Partitë pa qytetarë


Fehmi Hajra

Ekziston një dakordim në mes shkencëtarëve politik se Anglia është vendi ku lindën partitë e para politike në botë. Dy partitë kryesore në politikën britanike të sotme, janë trashëguese të partive të para politike në botë. Partia Konservatore është pasardhëse e “Tory Party”, partisë së pronarëve fisnik të tokave. Themelimi i kësaj partie nuk ka një datë të saktë zyrtare. Ajo që dihet nga literatura politike është se ajo (tory party) u formua në vitet e ’30-ta të shek. XIX dhe ishte Benjamin Disraeli, ai i cili i formoi konservatorët në kuptimin organizativ dhe programor dhe e shndërroj atë në një parti patriotike. Partia Liberale u themelua si pasardhëse e “Whigs” në vitin 1859 dhe mblidhte në radhët e saj pronarët e mëdhenj të tokave dhe tregtar të suksesshëm. Temat e liberalistëve, sipas literaturës politike, të shek. XIX të ndikuar nga William Gladstone kishin të bënin kryesisht me nxitjet për tregti të lirë.

Ishin politikanët ata që mendonin t’ia lehtësojnë vetës punën duke formuar parti politike. Sipas studiuesit Shivelly politikanët hetuan me kohë se një lloj klubi apo organizate që do të mund të bënte së bashku një numër të madh votuesish, do t’iu ndihmonte atyre për të marrë apo për të ruajtur pozitën. Duket se politikanët e kishin kuptuar që partitë janë lidhje të qytetarëve të cilat vazhdimisht apo për një kohë të gjatë ndikojnë në formimin e vullnetit politik dhe që synojnë të ndikojnë në përfaqësimin e popullit.

Studiuesit argumentojnë se partitë politike janë të rëndësishme sepse lidhin popullin me shtetin, më specifikisht me sistemin politik. Në këtë mënyrë partitë politike janë ndërmjetës dhe artikulojnë interesat e qytetarëve. Por në vende jodemokratike dhe ato që janë duke u demokratizuar, partitë politike nuk janë pjesë e një sistemi ndërmjetës mes qytetarëve dhe sistemit politik. As në Kosovë partitë nuk janë pjesë e këtij sistemi ndërmjetës në mes qytetarëve dhe sistemit politik. Partitë politike kosovare nuk kanë arritur të artikulojnë interesat e qytetarëve në sistemin politik, por kanë futur interesat e tyre në këtë sistem. Atyre u mungon lidhja me qytetarë. Shumica e partive kryesore në Kosovë zgjedhin personat lojalë dhe shpeshherë jo-kompetentë dhe i prezantojnë në zgjedhje për plotësimin e funksioneve politike, duke mos rekrutuar njerëz të ri dhe profesionist jashtë partive. Artikulimi i interesave të qytetarëve është drejtuar nga pritjet dhe kërkesat e grupeve të caktuara të shoqërisë duke injoruar kërkesat dhe pritjet publike të shoqërisë kosovare.

Partitë politike në Kosovë kanë dështuar (deri diku ORA mund të bëjë përjashtim) që të integrojë interesat e ndryshme të qytetarëve kosovar në një përfytyrim të përbashkët për politikën, në një program politik. Shumica e programeve politike të partive në Kosovë më shumë kanë elemente të përbashkëta se sa të dallueshme. Këto programe kanë premisa utopike, nuk kanë një fjalor të qartë për qytetar, janë të orientuara nga problemet e mëdha (pavarësia, integrimi ne BE etj) duke mos afruar asgjë konkrete për zgjidhjen e problemeve esenciale për jetë normale të qytetarëve siç janë: uji dhe rryma. Po ashtu këto parti kanë dështuar që të rrisin pjesëmarrjen e individëve dhe grupeve të ndryshme në politikë, ndonëse këto parti janë të hapura për anëtarësim. Mirëpo vet mënyra e organizimit dhe strukturimit të partisë është e disfavorshme për anëtarët e ri, sidomos për të rinjtë dhe gratë që dëshirojnë të marrin pjesë në politikë përmes partisë. Shumica e partive në Kosovë kanë brenda partisë edhe dy “parti” të vogla: Forumin e Rinisë dhe Forumin e Grave. Në këtë mënyrë partitë largojnë në mënyrë elegante të rinjtë dhe gratë nga vendimmarrja në partinë e përbërë nga burrat (nëse gratë dhe të rinjtë kanë forumet e tyre, atëherë logjikisht partia ju takon vetëm burrave). Ky organizim dhe strukturim i partive në Kosovë dekurajon në mënyrë drastike pjesëmarrjen e të rinjve me kapacitete akademike e qeverisëse dhe gratë që dëshirojnë ta provojnë veten në politikë. Për të marrë pjesë në politikë të rinjtë duhet të presin derisa të bëhen burra ndërsa gratë të anëtarësohen në njërën nga dy partitë që udhëhiqen nga gratë dhe që nuk kanë forume të grave. Pra partitë nuk arrijnë të kryejnë njërin prej funksioneve thelbësorë të tyre: rritjen e pjesëmarrjes së individëve në politikë.

Tri partitë kryesore që kanë pasur pushtet dhe kanë qeverisur vendin prej se janë formuar institucionet e Kosovës, kanë dështuar të kenë lidhje me qytetarë dhe të realizojnë pritjet e tyre (qytetarëve). Qeveritë që janë formuar nga partitë kryesore në Kosovë, LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja (“Qeveria Rexhepi”, “Qeveria Haradinaj”, “Qeveria Kosumi” dhe tash “Qeveria Ceku”) nuk kanë pasur legjitimitetin e duhur për të qeverisur. Ato nuk mund të qëndronin gjatë sepse nuk kishin legjitimitet dhe nuk mund të fitonin legjitimitet sepse nuk qëndronin gjatë.

Shumica e këtyre partive që ju kemi referuar në këtë shkrim kanë probleme të brendshme si: mungesë të praktikave demokratike të vendimmarrjes, mungesë të organizimit të mirë, mungesë të eksperiencave politike, mungesë të tolerancës, mos-ndryshim të liderëve partiak (“një herë kryetar, gjithmonë kryetar”) etj. Të gjitha këto deficite duke përfshirë edhe humbjen e legjitimitetit, kanë dëmtuar, veç tjerash, ngritjen e demokracisë në Kosovë, e cila varet kryesisht nga arritja e objektivave politike (pavarësia politike) dhe nga arritja e objektivave ekonomike (restaurimi i ekonomisë, pavarësisë ekonomike) të cilat objektiva partitë politike janë zotuar dhe ri-zotuar se do t’i arrijnë nëse ato vinë në pushtet. Ato erdhën në pushtet (LDK dhe AAK) por nuk i kanë arritur këto objektiva as sot e kësaj dite. Tani partitë që kanë pushtetin por edhe ato që janë në opozitë kanë humbur cdo lidhje me qytetarë sepse ekziston një diskrepancë e theksuar në mes asaj se çka qytetarët presin dhe çka në të vërtetë partitë politike mund të ju ofrojnë. Ato në fakt ofrojnë diçka, që me gjasë qytetarëve nuk ju hyjnë në punë: poezi politike dhe deklarata të mërzitshme.