Friday, February 23, 2007

Besoju vetëm atyre që i përkasin gjakut tënd!

Fehmi Hajra

Mungesa e shtetit ngjallë fantazitë nacionaliste

Po të ishtë gjallë filozofi politik Thomas Hobbes, për situatën politike në Kosovë do të thoshte se kur njerëzit janë të frikësuar ata janë në gjendje të bëjnë gjithcka. Duke qenë se ai ka përjetuar luftën civile, do të thoshte se ekziston një llojë frike ndikimi i së cilës është shkatrrimtare, më shumë se cdo lloj frikë tjetër, e kjo është frika sistematike që ngjallet kur një shtet fillon të shëmbet.

Ketë frikë sistematike e kemi përjetuar kur filloj të shëmbej Jugosllavia, e cila shëmbje është percjellur nga dhuna dhe luftrat e përgjakshme etnike. Në kontekstin e sotëm kosovar, kjo frikë sistematike është ngjallur dhe forcuar tani jo nga shembja e shtetit, por pikërisht nga mungesa e shtetit. Mungesa e shtetit për shumë kohë ka trazuar gjendjen shpirtërore të njerëzve në Kosovë, ngjajshëm sikur gjendja shpirtërore e fëmijës që është rritur pa nënë. Mungesa e shtetit i bënë banorët e një vendi të pasigurt, të frikësuar dhe nxitë fantazinë e tyre nacionaliste. Derisa një populli i mungon shteti, ai nuk mund të jetë i qetë, nuk mund te jetë i hapur dhe nuk mund të jetë paqësor sepse sic e thotë edhe Michael Ignatieff, një popull mund të bëhet tërësisht human, terësisht vet-vetja, vetëm kur ai ka një vend (shtet) të vetin.

Aktivistët e Lëvizjes "Vetëvendosje!" në krye me liderin e famshëm Albin Kurti, demonstrojnë pikërisht ketë mungesë të shtetit. Lëvizja e cila fillimisht shikohej si një lëvizje qytetare e të rinjëve që nuk pajtoheshin me misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë ngadalë por sigurt po rrëshqet në një lëvizje nacionaliste që kërkon me vendosmëri vetëvendosje për Kosovën. "Vetëvendosja" është produkt i drejtëpërdrejt i jovetëvendosjes për Kosovën.

Mungesa e shtetit të Kosovës, tregon se si njerëzit me koncepte qytetarie shëndrrohen në nacionalistë që refuzojnë të kenë kontakt me të huajt, që refuzojnë të hyjnë në institucione që bashkëpunojnë me të huajt dhe që ngjallë fantazi nacionaliste sikur ajo e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Kjo mungesë e shtetit dëshmon se si të gjitha përkatësitë që nuk janë kombëtare janë të parëndësishme. Përkatësia kombëtare në mënyrë absolute është më e rëndësishmja për njerëzit pa shtet.

Misioni i dilemave

Kosova është një eksperiment i rrezikshëm i bashkësisë ndërkombëtare. Ardhja e saj me një mision sikur ky i UNMIK-ut, ishte një gabim shumë i madh, pas suksesit të NATO-së në Kosovë. Në njëfarë mënyre krijohet përshtypja se UNMIK-u ka ardhur në Kosovë vetëm sa për ta qetësuar Serbinë pas disfatës që psojë në 1999. Një mision i tillë i Kombeve të Bashkuara më shumë e ka keqësuar se sa e ka përmirësuar gjendjen e paqendruarshme në Kosovë. UNMIK-u ka qenë anti-demokratik që prej ditës së parë në Kosovë, duke qenë se kishte pushtet absolut për cdo gjë këtu. Administrimi ndërkombëtar nga Kombet e Bashkuara në Kosovë ka ngritur disa dilema të forta: (1) a mund të vendoset demokracia në një vend kur ky është nën administrim ndërkombëtar? (2) A mund të zhvillohet ekonomia e një vendi nën kushtet e një administrimi ndërkombëtar? (3) A mund të arrihet pavarësia e një vendi, kur ai është i administruar ndërkombëtarisht?

Për të dy dilemat e para, rasti i Kosovës sugjeron që kjo nuk është e mundur. Demokracia e prodhuar nga administrimi ndërkombëtar ka qenë vetëm zgjedhore. E vetmja gjë demokratike në Kosovë prej që është UNMIK-u ketu kanë qenë zgjedhjet. Ekonomia e Kosovës që prej pas luftës ka qenë e përcjellur vetëm me regres. Ka munguar një politike zhvillomore ekonomike e cila do të mundësonte vende te reja pune. Politikat fisake po mbysin bisneset private sidomos prodhuesit vendor. Papunësia është tmerrësisht e lartë.

Ndërsa dilema ma e rrezikshme që ka prodhuar administrimi ndërkombëtar është kjo e treta: a do të bëhet Kosova shtet pas këtij administrimi ndërkombëtar? Elita politike kosovare, e cila është në njëfarë mënyre "nën kontroll" të UNMIK-ut (duke qenë se UNMIK-u përfaqëson "pushtet të fort" ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, ndersa IPVQ-të "pushtet të butë"), e që është e mbledhur në "Ekipin e Unitetit" është e bindur se Kosova është pavarësuar në vitin 1999 dhe se viti 2007 do të jetë vitë i njohjes së kësaj pavarësie nga ndërkombëtaret. Në kontrast me "Ekipin e Unitetit" është Lëvizja "Vetëvendosje!" e cila është e bindur se Kosova nuk është pavarësuar në vitin 1999 dhe as ketë vitë me planin e Ahtisarit nuk do ta fitojë pavarësinë. Tani jemi në një gjendje dilemash: jemi apo s'jemi të pavarur. Një gjë dihet, pavarësia ose është pavarësi ose jopavarësi. Në fakt ky ka qenë suksesi më i madh i bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë: të ngrisë dilema, për të cilat tashmë njerëzit edhe po vdesin.

Vdekja e nacionalizmit qytetar

Ngjarjet e marsit 2004 dhe tash demonstratat e sërbeve në Mitrovicë dhe shqiptarëve me 10 shkurt në Prishtinë, janë indikator që Kosova po rrëshqet në një nacionalizëm të pakontrolluar etnik. Me të gjitha këto ngjarje është dëshmuar që shoqëria kosovare nuk është e gatshme të ndërtohet në bazë të parimeve qytetare por në bazë të parimeve etnike. Paranoja etnike ka zëvendësuar gatishmërinë për të jetuar pranë njëri – tjetrit, me të drejta të barabarta, të bashkuar në një lidhje politike e cila cmon vlerat dhe praktikat e komunitetit. Kjo paranoje etnike ka mbytur nacionalizmin qytetar dhe i ka hapur rrugë nacionalizmit etnik.

Për ketë gjendje kemi dy fajtor: Qeverinë e Kosovës e cila ka dështuar të integrojë serbët kosovar në shoqëri dhe bashkësinë ndërkombëtare e cila ka shtyer statusin e Kosovës duke i kthyer qytetarët kah nacionalizmi etnik. Tani kemi një gjendje mosbesimi. Të gjendur në mes panikut dhe frikës për të kërkuar atë që ju takon, sidomos pas vrasjes të dy qytetarëve shqiptar që kërkonin vetëvendosje për Kosovën nga policia e UNMIK-ut, pyetja që shumë njerez ja bëjnë njeri – tjetrit është: kujt duhet t'i bësojmë tash? Dhe, në këto raste, përvojat nga vendet tjera tregojnë se kur njerëzit ndihen të pasigurt dhe ju humbet besimi në institucione, ata më së shumti ju besojnë zërave nacionalistë që ju sugjerojnë: besoju vetëm atyre që i përkasin gjakut tënd!