Letër mikut francez
Fehmi Hajra
Në ditën që lexova se Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, i kishte dërguar Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiut, letër urimi ku ai njihte në emër të Francës, shtetin e ri të Kosovës, gjëja e parë që mu kujtua ishit ju, mik i dashur. Në gjysmën e dytë të qershorit të vitit 1999, unë ta pata dhuruar një lule në një ditë të bukur me diell, në shenjë nderimi që ishit këtu. Ju kishit ardhur nga Franca në kuadër të ushtarëve të NATO-s. Unë kisha zbritur nga malet e Shalës së Bajgores, pas tre muajve.
Atë qershor unë isha 16 vjeç. Siç edhe mund ta kuptoje në mal nuk isha për piknik por për shkak të luftës. Na thanë që atje ka më pak rrezik. Por si i ri që isha atje frikohesha prej dy armiqve, mirë të identifikuar: paramilitarëve serbë dhe gjarpërinjve. Ditën prej të parëve, ndërsa natën prej të dytëve. Plot tre muaj të tërë kisha jetuar së bashku me frikën prej serbëve dhe gjarpërinjve. Që prej atëherë i urrej malet. Kjo frikë më ishte shndërruar në fobi. Nuk e di nëse jam shëruar nga kjo fobi sepse që prej asaj kohe nuk kam parë më as paramilitarë serb dhe as gjarpërinj.
Pas një kohe të vështirë të pata takuar ty dhe shokët tuaj, në qytetin tim të lirë dhe të mbrojtur nga ti dhe shokët tuaj. Pata ndjerë lumturi dhe siguri. Deri në atë kohë, këto dy ndjenja kishin kohë që më mungonin. Kur njeriu nuk ndjehet i sigurt nuk mund të ndjej as lumturi apo jo? Ju jeni ushtarak dhe e dini më mirë, besoj. E dini edhe atë që deri në kohën kur shteti i juaj dhe shumë shtete tjera intervenuan kundër Serbisë asnjë shqiptar i Kosovës nuk ndihej i sigurt. Një regjim i egër dhe çnjerëzor kishte marr përsipër që asnjë shqiptar të mos ndihej i sigurt dhe t’iu pamundësohej jeta në Kosovë. Në ketë vend ku u takuam unë dhe ti.
Ju kujtohet që ju vizitoja shpesh në vendqëndrimin tuaj. Edhe pse ishim me mosha, mentalitete dhe mënyrë jetese të ndryshme, prapë ju takoja shpesh. Ajo që na bashkonte ishte liria. Së paku kështu e ndjej unë. Ju kishit ardhur këtu nga një vend i largët në emër të lirisë së një populli që jetonte në robëri në fund të shekullit 20. Ndërsa unë kisha lexuar në libra se vendi, prej nga vini ju, mban epitetin e një shteti ku ka lindur liria njerëzore. Ju ishit dëshmia e asaj se çfarë kisha lexuar në libra për shtetin tuaj. Kjo bënte që të takoheshim shpesh me gjithë vështirësitë e komunikimit. Gjuha e huaj që unë e kuptoja dhe e flisja deri diku, ishte gjuha e atij policit që më përzuri nga shtëpia dhe më pas ia dha flakën duke e shkatërruar tërësisht. Ndërsa ju flisnit gjuhët që unë i adhuroja por nuk i kuptoja dot. Ne prapë mbetëm shokë, deri atëherë kur ju u kthyet në shtëpi. Që prej atëherë nuk jemi dëgjuar shpesh. Prandaj po të tregoj disa gjëra për vendin tim dhe vetën time.
Që prej asaj kohe disa gjëra kanë ndryshuar shumë, e disa kanë mbetur ashtu siç ishin. Tashmë unë nuk jam 16 vjeç, por 25. Jam rritur, duke e parë vendin tim teksa ecte një hap para dhe dy hapa mbrapa. Kam vizituar disa vende dhe më kanë pëlqyer shumë. Në krahasim me vendin tim ato janë shumë të zhvilluara por kuptohet sepse disa prej tyre nuk kanë pasur luftëra me qindra vite. Atje e kanë të vështirë të gjejnë vitet kur ka pasur luftë. Tek ne, ndodh e kundërta. E kemi të vështirë të gjejmë vite kur nuk ka pasur luftë apo dhunë. Po ashtu, kam krijuar shumë miqësi të reja prej shumë vendeve në Evropë dhe më larg. Edhe vendi im ka ndryshuar në shumë aspekte. Por sikur atëherë edhe tash problemet me rrymë dhe ujë kanë mbetur të njëjta. E merr dot me mend që prej që je shkuar ti, asnjëherë nuk ka kaluar një javë e vetme në shtëpinë time kur ka pasur ujë dhe rrymë pa ndërprerë. Kështu ka ndodh me gjithë kosovarët në këto 8 vite. E di që s’më beson. Në fakt edhe vet e kam vështirë të besoj ketë që po ta them. Por kështu është. Thuhet që ka rrymë por problemi është te menaxhimi i keq dhe korrupsioni.
Por ndryshimi i madh ndodhi më 17 shkurt, kur Kuvendi i Kosovës shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe Sovran. Ashtu siç është shteti i juaj i pavarur dhe sovran. Edhe pse me shumë vonesë kjo ditë ishte po aq emocionuese sa atë ditë kur u ktheva nga malet dhe e gjeta qytetin tim të lirë. Natën e 17 shkurtit e kalova në rrugët e Prishtinës dhe në lokale të ndryshme me miq dhe njerëz që kontribuuan në mënyra të ndryshme për ketë ditë. Ishte një emocion i fortë gëzimi, kur shihje të gjithë njerëzit e lumtur. Kjo nuk ndodh shpesh në Kosovë. Atë ditë ndjeva se për herë të parë, në moshën 25 vjeçare më në fund i takojë një vendi të njohur nga shumë vende në mes tjerash edhe nga vendi yt. Deri në atë ditë isha një shqiptar i deklaruar por askund në dokumente nuk mund të gjeja këtë. Isha banor i Kosovës por nuk isha qytetar i saj në kuptimin e mirëfilltë juridik. Mbaj mend si sot, në verën e kaluar një polic kufitar norvegjez qeshi më pasaportën time, kur pa mbishkrimin UNMIK. Tash jam kosovar dhe do të kem pasaportën time të “Republikës së Kosovës”. Tash do të jem krenar për përkatësinë time. Deri atë ditë, isha një UNMIKistanez. Isha diçka që nuk doja të isha.
Tash detyra jonë është që ketë shtet të vogël dhe të varfër ta shndërrojmë në një shtet të fort ekonomik dhe në shtet ligjor. Nëse ndodh kjo mos u habitë, kur një ditë Kosova do ta ketë radhën e Presidencës së Bashkimit Evropian dhe do t’i caktojë prioritetet e këtij Bashkimi, duke përfshirë edhe vendin tuaj. Si duket proverbi që vjen nga vendi i juaj se “sa më shumë që ndryshojnë gjerat, aq më shumë mbeten të njëjta” nuk e “rrok” edhe Kosovën. Këtu që prej 17 shkurtit asgjë nuk do të jetë njëjtë.
Faleminderit ty dhe shokëve tuaj që e ndihmuat çlirimin e këtij vendi. Faleminderit shtetit tuaj që e njohu Kosovën shtet të pavarur dhe Sovran ndër të parat. Ishte befasi e këndshme për neve që mendojmë të jetojmë dhe zhvillohemi në ketë vend.